Detyrimet e papaguara për pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore gjatë vitit 2025 arritën në 263 milionë euro, ose afro 19 milionë euro më shumë se në vitin 2024, sipas raportit vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Paralelisht, të ardhurat e grumbulluara nga këto kontribute u rritën në afro 1.78 miliardë euro, 170 milionë euro më shumë se në vitin e mëparshëm. Shifrat tregojnë dy anë të së njëjtës medalje: bizneset që punësojnë në të zezë ose nuk kryejnë pagesat, dhe nga ana tjetër, rezultatet e aksioneve kundër informalitetit, si rritja e numrit të kontribuuesve dhe formalizimi i pagave.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, detyrimet më të larta lidhen me masat e forcuara, përfshirë penalitetet dhe kamatëvonesat, të cilat llogariten në total. Në raste me vlera të mëdha, kompanitë çojnë çështjet në gjykatë, duke vonuar shlyerjen. Po ashtu, disa kompani deklarojnë pamundësi pagesash për shkak të gjobave, çka rrit volumin e detyrimeve.
Afati ligjor për pagesa është brenda datës 20 të muajit ose pas tremujorit kalendarik, jo më vonë se datat 20 prill, 20 korrik, 20 tetor dhe 20 janar.
Mungesa e pagesave të sigurimeve privon qytetarët nga shërbimet shëndetësore falas dhe ndikon negativisht në vlerën e pensionit. Për të përfituar pensionin minimalisht duhen 15 vite pune të siguruar, ndërsa për pensionin e plotë 39 vite punë, me rritje graduale në 40 vite deri në 2029. Për shkak të kësaj, mbi 50% e pensionistëve marrin pagesë të pjesshme.