Një raport i hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë për llogari të Dhomës Amerikane të Tregtisë ka ngritur shqetësimin mbi ndikimin negativ të shpenzimeve të ulëta publike në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Dokumenti thekson se ky nënfinancim nuk dëmton vetëm cilësinë e shërbimeve mjekësore, por sjell edhe pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, duke përfshirë vdekje të parakohshme dhe ulje të produktivitetit të forcës punëtore.
Sipas të dhënave, vitin e kaluar shpenzimet publike për shëndetësinë ishin mesatarisht 330 euro për banor. Ky nivel është pesë herë më i ulët se në vendet e rajonit dhe dhjetë herë më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian. Autorët e raportit vlerësojnë se një investim më i madh në rimbursimin e barnave, terapitë inovative dhe programet e detektimit të sëmundjeve do të gjeneronte mbi 560 milionë euro prodhim shtesë në ekonomi çdo vit.
Raporti sugjeron një plan gradual për rritjen e fondeve publike në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2030, nga niveli aktual prej 2.9%. Ky plan do të kërkonte një shtesë prej 457 milionë eurosh, të cilat do të ndaheshin si më poshtë:
• 287 milionë euro për rimbursimin e ilaçeve, terapitë moderne dhe programet e parandalimit;
• Pjesa e mbetur për shërbimin parësor, mbështetjen e personelit mjekësor, infrastrukturën dhe investimet dixhitale.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vëren se shtetet që shpenzojnë nën 3% të PBB-së për shëndetësinë mund të përfitojnë ndjeshëm nga rritja e investimeve në këtë sektor. Pavarësisht kësaj, raporti vë në dukje se Programi Buxhetor Afatmesëm i qeverisë shqiptare parashikon një ulje të mëtejshme të peshës së shpenzimeve për shëndetësinë në raport me ekonominë, një qasje që ekspertët e vlerësojnë si të pafavorshme për zhvillimin e vendit.