Treguesit buxhetorë të periudhës afatmesme 2025–2029 nxjerrin në pah një model qeverisjeje të mbështetur te investimet kapitale në infrastrukturë, me shpenzime më të pakta për arsimin dhe shëndetësinë.
Sipas Kuadrit të ri Makroekonomik 2027–2029, shpenzimet kapitale do të lëvizin në intervalin 6–6.5% të PBB-së në vit. Në vitin 2026, ato arrijnë 6.5% të PBB-së, nivel që e vendos Shqipërinë mbi mesataren e Bashkimit Europian, ku investimet publike janë rreth 3–3.5% të PBB-së. Kjo reflekton një strategji zhvillimi të orientuar drejt ndërtimit dhe infrastrukturës si motorë të rritjes ekonomike.
Në kontrast, shpenzimet për shëndetësi, kryesisht nga skema e sigurimeve shëndetësore, luhaten në 2.4% të PBB-së për 2025–2026, për të rënë në 2.1% në 2029. Kjo reflekton një ulje relative, pavarësisht nevojave në rritje për shkak të plakjes së popullsisë dhe emigracionit të personelit mjekësor.
Për arsimin, shpenzimet publike ishin 2.9% të PBB-së në 2022, priten 2.4% këtë vit dhe 2.1% në 2028, sipas buxhetit afatmesëm 2026–2028. Kjo tregon ulje si në raport me PBB-në, ashtu edhe me shpenzimet e përgjithshme buxhetore, ndërsa ekonomia rritet.
Struktura buxhetore synon rritje ekonomike përmes investimeve fizike, jo përmes përmirësimit të produktivitetit të punës, cilësisë së arsimit apo shëndetit të forcës punëtore.