Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe shoqatat e biznesit dënuan aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet. Në deklaratën e përbashkët, ato theksuan se qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen përmes dialogut dhe veprimeve konkrete.
Deklarata, e nënshkruar nga kryetari i Dhomës, Nikolin Jaka, dhe shoqatat e biznesit, përmend sulme ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare, ndërtesave dhe objekteve të sipërmarrjeve. Në të thuhet se protesta paqësore është e drejtë themelore e qytetarëve, por asnjë kauzë, pakënaqësi apo përplasje politike nuk justifikon dhunën, zjarrvënien, vandalizmin dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve.
Përfaqësuesit e biznesit theksuan se dëmtimi i një banke, dyqani, qendre tregtare apo godine biznesi prek punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit. Pas çdo sipërmarrjeje, thuhet në deklaratë, qëndrojnë investime, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj. Dëmtimi i institucioneve dhe i pronës publike rëndon mbi taksapaguesit.
Dhoma dhe shoqatat i bënë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa parandaluese, të forcojnë praninë në zonat e rrezikuara dhe të ndërhyjnë në kohë për mbrojtjen e jetës dhe pronës. Deklarata kërkon që veprimet policore të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar sigurinë e protestuesve paqësorë, qytetarëve, punonjësve të bizneseve dhe efektivëve.
Përfaqësuesit kërkuan që personat përgjegjës për dhunën të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale sipas ligjit, pa ia ngarkuar fajin kolektivisht qytetarëve që protestojnë paqësisht. Organizatorëve të protestave dhe forcave politike iu kërkua të distancohen nga aktet e dhunës, të bëjnë thirrje për qetësi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve. Deklarata u bën thirrje gjithashtu të përdorin gjuhë që ul tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin.
Dhoma kërkoi dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë mes autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, për të mundësuar denoncimin, hetimin dhe ndjekjen e procedurave përkatëse. Ajo u shpreh e gatshme të bashkëpunojë me institucionet për evidentimin e shqetësimeve të biznesit dhe forcimin e masave mbrojtëse. Sipas deklaratës së cituar nga Dukagjini, Jaka ritheksoi se qëndrimi i përfaqësuesve të biznesit është i pavarur nga përkatësitë politike dhe në mbështetje të protestës paqësore, dialogut dhe zbatimit të ligjit.