Autoritetet policore kanë zbardhur detajet e ngjarjes së ndodhur në fshatin Arst të bashkisë Fushë-Arrëz, ku u regjistrua dhunimi fizik ndaj bashkëshortëve Skënder Nika dhe Bardhe Nika. Sipas të dhënave zyrtare, një person është shpallur në kërkim, ndërsa po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e katër bashkëpunëtorëve të tjerë.
Sipas hetimeve, i kërkuari është shtetasi Kristian Bala, i cili akuzohet gjithashtu për kanosjen e djalit të çiftit Nika. Dyshohet se shkaku i këtij konflikti ka qenë mosmarrëveshja për ndarjen e territoreve në zonë, të cilat përdoreshin për mbledhjen e dredhëzave.
Autorët thuhet se i kanë zënë pritë çiftit në rrugë, ku më pas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. Policia po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të përfshirë.