Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e së martës në lagjen Xhabije të qytetit të Shkodrës, ku efektivi i Policisë Rrugore, Nikolin Përndoj, ka rënë pre e një dhune fizike. Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur efektivi nuk ishte në krye të detyrës.
Lidhur me dinamikën e ngjarjes, burime të ndryshme raportojnë versione të ndryshme mbi mënyrën e sulmit. Disa burime sugjerojnë se efektivi është goditur me grushte, ndërsa të tjera raportojnë se është goditur pas shpine me sende të forta. Autoritetet janë duke verifikuar nëse konflikti ka lidhje me detyrën e punonjësit të policisë.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje. Aktualisht, po kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e dy personave të përfshirë në konflikt.