Diamanti rozë Grand Condé, me peshë nëntë karatësh dhe në formë dardhe, është rikthyer në ekspozitë në Muzeun Condé, në Château de Chantilly të Francës, për herë të parë që nga vjedhja e tij në vitin 1926. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 3 janar.
Guri u vodh gjatë një bastisjeje natën në tetor të vitit 1926. Hajdutët e fshehën brenda një molle të zgavruar, por disa javë më vonë një shërbëtore e uritur, në hotelin ku ata po qëndronin, kafshoi mollën dhe zbuloi diamantin. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, tha se rrëfimi, megjithëse mund të duket i pabesueshëm, ishte pasqyruar gjerësisht në gazetat e kohës.
Ekspozita paraqet rezultatet e studimeve shkencore mbi karakteristikat unike të diamantit, të cilat mundësojnë identifikimin e tij, si dhe dokumente arkivore që shfaqen për herë të parë. Deldicque nuk bëri të ditur për CNN vlerën për të cilën është siguruar guri.
Rikthimi i diamantit në ekspozitë vjen pas një sërë vjedhjesh në institucione kulturore evropiane gjatë 12 muajve të fundit, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nëse ekspozimi mund të shtonte rrezikun për objektin, Deldicque nuk zbuloi shumën e sigurimit.
Origjina e saktë e Grand Condé mbetet e paqartë. Sipas Château de Chantilly, përmendja e parë e dokumentuar e diamantit është në një inventar të vitit 1740, të hartuar pas vdekjes së Louis Henri de Bourbon, Princit të Condé-së. Më vonë, ai u bë pjesë e koleksionit të Mbretëreshës Marie-Amélie të Bourbon-Sicilisë, bashkëshortes së mbretit Louis Philippe I, dhe më pas kaloi te djali i saj, Princi Henri i Orléans-it, Duka i Aumale-së.
Në testamentin e tij, Duka ia la diamantin Institut de France, i cili zotëron Château de Chantilly. Bashkë me të, institucioni trashëgoi mijëra vepra arti dhe dorëshkrime, pjesë e koleksionit të Muzeut Condé. Diamanti konsiderohet një nga bizhuteritë mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez.
Diamantet rozë natyrorë janë të rrallë dhe mund të shiten për dhjetëra miliona dollarë. Sipas Sotheby’s, rekordi i ankandit për një diamant rozë u vendos në vitin 2017, kur një gur u shit për 71,2 milionë dollarë, ose rreth 53,6 milionë paund.