Vala e protestave të diasporës shqiptare është shtrirë edhe në qytetin e Mynihut në Gjermani, ku qytetarët kanë kërkuar llogaridhënie, transparencë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi, i mbajtur këtë të shtunë, vjen pas një sërë manifestimesh të ngjashme të zhvilluara gjatë muajve qershor dhe korrik në vende të ndryshme të Evropës dhe përpara ambasadave shqiptare.
Në fokus të kritikave të protestuesve ishin disa çështje me ndjeshmëri të lartë publike, ndër të cilat:
• Akuzat për dhunë policore ndaj qytetarëve.
• Zhvillimet në zonën e Zvërnecit.
• Shitja e pronave publike dhe trojeve shtetërore.
• Kundërshtimi i ligjeve për zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike.
Pjesëmarrësit shpalosën banderola ku kërkohej përgjegjësi institucionale. Një element që tërhoqi vëmendje të veçantë ishte pankarta me fotografinë e një gruaje të moshuar, e cila u shoqërua me forcë nga punonjësit e policisë gjatë një proteste të zhvilluar të enjten në afërsi të Kuvendit të Shqipërisë. Krahas kësaj fotografie, mesazhet e protestuesve kërkonin qartësim për forcën e ushtruar ndaj qytetarëve gjatë ushtrimit të së drejtës së protestës.
Organizatorët theksuan se ky tubim është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë të diasporës, e njohur nga protestuesit si “Revolucioni i Flamingove”, për të kërkuar ndryshime politike dhe rritje të përgjegjshmërisë nga ana e qeverisë “Rama 4” në lidhje me skandalet e supozuara dhe vendimmarrjen e kundërshtuar nga një pjesë e opinionit publik.