Faton Peci, kryetar i Komunës së Mitrovicës, ka njoftuar se mbrëmë, gjatë orëve të vona të natës të së dielës, kompanisë përgjegjëse për rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje i është djegur një bager.
Në një postim në Facebook, Peci ka nisur me frazën “Nuk po rrënon bageri, po rrënon kryetari Faton Peci”, duke dënuar ashpër ngjarjen si “akt makabër e qyqar”. Ai e ka cilësuar veprimin si kriminal, që përbën kërcënim direkt për të gjithë ata që angazhohen për rendin dhe qetësinë publike në Mitrovicë.
Peci ka theksuar se askush nuk do të frikësohet nga këto akte. “Lufta jonë ndaj paligjshmërisë, kriminalitetit e parregullësisë nuk do të ndalet”, ka shkruar ai.
Kryetari ka bërë thirrje organeve të rendit për të intensifikuar veprimet e tyre dhe për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit. “Paqe me krimin nuk do të ketë asnjëherë, askund në Mitrovicë, as në jug as në veri”, ka siguruar ai.
Ngjarja vjen në kontekstin e veprimeve për rrënimin e ndërtimeve pa leje, ndërsa Peci ka dalë në terren pas incidentit, sipas disa burimesh.
Përditësime
Fatmir Behrami, pronari i kompanisë për rrënim të objekteve pa leje, konfirmoi djegien e një bageri në Mitrovicë, me dëm të vlerësuar mbi 70 mijë euro.