Në Prishtinë u zhvillua diskutimi i nivelit të lartë me temë “Qëndrimet e kryeqyteteve evropiane ndaj zgjerimit: perspektivat, prioritetet dhe rruga e Kosovës drejt BE-së”. Ngjarja u organizua nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Qendra Austro-Franceze për Përafrim në Evropë, Balkan Research Institute dhe French Institute of International Relations.
Drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Dren Puka, vlerësoi se lufta në Ukrainë ka ndryshuar logjikën e procesit, duke i dhënë peshë sigurisë dhe përafrimit gjeopolitik. Sipas tij, avancimi i Kosovës është i lidhur ngushtë me vendimet politike të shteteve anëtare dhe nevojën për konsensus.
Ambasadori i Francës, Jean-François Huchet, theksoi se zgjerimi është shndërruar në një domosdoshmëri gjeopolitike. Ai vlerësoi hapat e ndërmarrë nga Kosova, përfshirë liberalizimin e vizave, por nënvizoi se procesi kërkon reforma të vazhdueshme në sundimin e ligjit dhe angazhim të palëkundur në dialogun me Beogradin. Ai shtoi se siguria energjetike është tashmë pjesë integrale e procesit të zgjerimit.
Ambasadori i Austrisë, Georg Schnetzer, argumentoi se zgjerimi është prioritet strategjik për sigurinë e Evropës. Ai kërkoi tejkalimin e bllokadave përmes votimit me shumicë të cilësuar dhe bëri thirrje për hapa konkretë, siç është vlerësimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit nga Komisioni Evropian.
Kryenegociatori i Kosovës, Jeton Zulfaj, konfirmoi se aplikimi i dorëzuar më 15 dhjetor 2022 nuk ka shënuar përparim. Ai theksoi se statusi i kandidatit është objektivi i parë, por se hapja e negociatave duhet të realizohet paralelisht. Zulfaj shtoi se Kosova është plotësisht e përafruar me politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, ndërsa sfidat kryesore mbeten dialogu me Serbinë dhe mosnjohja nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.