Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, më 15 maj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, zhvilloi një bashkëbisedim me familjet kujdestare dhe birësuese në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë.
Ajo vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të familjes në mirërritjen e fëmijëve dhe nismat e qeverisë shqiptare për forcimin e mbrojtjes sociale dhe kujdesit alternativ, me fokus fëmijën dhe rritjen e tij në një mjedis familjar të sigurt.
"Familja është themeli i shoqërisë. Fëmijët janë pasuria jonë dhe çdo fëmijë meriton të rritet në një familje. Në një familje që jep dashuri, siguri dhe mbrojtje. Dhe kur është e pamundur që familja biologjike ta japë këtë mbështetje, është detyra jonë si shoqëri dhe institucion që t’i ofrojmë një familje, prandaj edhe familjet kujdestare dhe birësuese kanë një rol të veçantë në këtë drejtim", u shpreh ministrja Sala.
Ministrja solli në vëmendje politikat për fuqizimin e familjes biologjike, ndërgjegjësimin e shoqërisë për birësimin, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, mbështetjen sociale për fëmijët dhe familjet, si dhe promovimin e kujdestarisë alternative për fëmijët në rrezik dhe jashtë kujdesit prindëror.
Ajo theksoi rëndësinë e Ligjit të ri “Për Kujdesin Alternativ në Familje”, i cili krijon një mekanizëm të ri mbështetës për familjet kujdestare profesionale. Ky ligj do të mbështesë financiarisht rreth 150 familje, të cilat do të mirëpresin dhe do të kujdesen për rreth 150 fëmijë në ambientet familjare.
"Ligji i ri për Kujdesin Alternativ na ka ndihmuar duke na dhënë të gjithë bazën për të forcuar vërtet familjen dhe për t’u ofruar këtyre fëmijëve një ambient familjar, me dashuri, përkushtim dhe siguri", shtoi ministrja Sala.