Sot, më 30 gusht 2026, shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, një datë që përkujton familjet që ende presin zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre pas luftës në Kosovë. Sipas të dhënave nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 27 vjet pas përfundimit të konfliktit, 1.577 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.
Pas vitit 1999, kur u raportuan rreth 6.500 persona të zhdukur, kërkimet kanë vijuar ndër vite për të hedhur dritë mbi fatin e tyre. Në shënim të kësaj dite, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka planifikuar të zhvillojë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, duke nisur nga ora 09:30.
Kjo ditë shërben si një kujtesë për plagën e hapur të luftës dhe nevojën e vazhdueshme për angazhim në gjetjen e personave që ende figurojnë të pagjetur. Familjarët vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e së vërtetës, ndërsa çështja mbetet një prej plagëve më të rënda dhe të pazgjidhura të konfliktit në vend.