Zvicra shënon sot ditë zie kombëtare në kujtim të viktimave të zjarrit që shpërtheu natën e 1 janarit 2026 në Crans-Montana, një resort alpin në kantonin Valais.
Ngjarja ndodhi gjatë një festimi të Vitit të Ri në një bar, ku të paktën 40 persona vdiqën dhe mbi 100 të tjerë u plagosën. Federata Zvicerane e Futbollit ka njoftuar se ndër viktima janë nëntë lojtarë të rinj nga tre klube rajonale në Zvicrën perëndimore, ndërsa të tjerë u plagosën.
Autoritetet zvicerane kanë planifikuar ceremoni shtetërore dhe homazhe mbarëkombëtare. Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, deklaroi se dhimbja e përbashkët kërkon përgjegjësi dhe veprim. Në shenjë nderimi, nuk do të ketë fluturime ajrore në orën 14:00.
Ambasada e Zvicrës në Kosovë shprehu ngushëllime, duke thënë se mendimet janë me të prekurit në Zvicër dhe më gjerë. Konsullata e Kosovës në Cyrih uli flamurin në gjysmë shtize në solidaritet me viktimat.
Federata Zvicerane e Futbollit ka ngushëlluar familjet dhe të gjithë të prekurit nga ky rast tragjik.
Ndërkohë, në Shqipëri, moti i keq ka përmbytur 13.211 hektarë tokë dhe 1.587 banesa. Kryeministri Edi Rama njoftoi në mbledhjen e Këshillit të Emergjencave Civile se janë vënë në dispozicion 50 milionë euro për dëmshpërblime. Situata po përmirësohet në disa zona me tërheqjen e ujit.