Një zjarr shpërtheu të martën në mbrëmje rreth orës 18:25 në një autobus postar në rrugën Murtenstrasse në qendër të Kerzers (Chiètres), kanton Fribourg të Zvicrës. Autobusi, i cili udhëtonte nga Düdingen drejt Kerzers, u përfshi plotësisht nga flakët kur mbërritën shërbimet e emergjencës.
Sipas policisë kantonale, ngjarja la gjashtë viktima dhe pesë të plagosur, ndër të cilët katër pasagjerë dhe një person që ndërhyri për ndihmë. Tre të plagosur ndodhen në gjendje kritike, ndërsa një u transportua me helikopter në spital. Identitetet e të plagosurve janë përcaktuar, por identifikimi i viktimave vazhdon.
Autoritetet dyshojnë për një veprim të qëllimshëm. Dëshmitarët raportojnë se një person derdhi benzinë mbi veten dhe e ndez flakën brenda autobusit. Një dëshmitar shqiptar, i plagosur, foli në shqip në një video: "Një burrë i vuri flakën vetes. Ai hodhi benzinë mbi vete dhe pastaj e ndezi." Policia konfirmoi dyshimet për zjarrvënie, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme dhe nuk ka konfirmuar mundësinë e një sulmi terrorist.
Një operacion i madh shpëtimi u zhvillua me:
- 9 ambulanca,
- zjarrfikës nga Chiètres dhe Morat,
- helikopter Rega.
Zona u mbyll për siguri dhe zjarri u vu nën kontroll shpejt. Policia ka hapur linjën telefonike 0800 261 700 për familjarët, dëshmitarët dhe të afërmit.
Presidenti i Konfederatës Guy Parmelin u shpreh i trishtuar, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe njoftoi se autoritetet ofrojnë ndihmë për të plagosurit dhe shpëtimtarët. Hetimi penal vazhdon për të sqaruar rrethanat e sakta.
Përditësime
- Ambasada e Kosovës deklaroi se nuk ka informacion për shtetas kosovarë mes viktimave.
- Identifikimi i viktimave mund të përfshijë analiza të ADN-së dhe mund të marrë kohë.
- Autoritetet priten të mbajnë një konferencë shtypi për përditësime.
Faton Berisha, shqiptar nga Kosova dhe pasagjer në autobusin e djegur në Kerzers, mbijetoi zjarrin. Ai dëshmoi se "brenda pak sekondash autobusi u mbush me tym".
Prokurori i Përgjithshëm i Fribourgut, Raphaël Bourquin, konfirmoi se i dyshuari dyshohet se i ka vënë zjarrin vetes brenda autobusit.
- I dyshuari, shtetas zviceran rreth 60-vjeçar, u raportua i zhdukur nga një spital në kantonin e Bernës pas orës 13:00 të martën; u nisën operacione kërkimi.
- Ai është në trajtim mjekësor për probleme mendore dhe figuron i regjistruar në sistemin Ripol.
- Autoritetet konfirmuan mungesë indikacionesh të mëparshme për rrezik ndaj të tjerëve ose vetvetes.
Autoritetet zvicerane konfirmuan identitetet e gjashtë viktimave në zjarrin e autobusit postar në Kerzers, përfshirë dyshuarin 65-vjeçar zviceran nga Berna.
Viktimat përfshijnë:
- Shoferin 63-vjeçar portugez;
- Dy gra 25 dhe 39-vjeçare;
- Dy burra 16 dhe 29-vjeçarë.
Gjithashtu identifikuan pesë të plagosur, dy prej të cilëve ende në spital: grua 56-vjeçare dhe burrë 34-vjeçar.