Shqipëria është përfshirë në listën e 10 destinacioneve më të rekomanduara për t’u vizituar në vitin 2026 nga revista amerikane Quartz. Ky vlerësim veçon potencialin turistik të vendit, duke u fokusuar te Riviera Shqiptare, qytetet historike dhe transformimi i kryeqytetit, Tiranës.
Sipas publikimit, Shqipëria ofron një përvojë të veçantë mesdhetare, duke u dalluar nga destinacionet e tjera për shkak të çmimeve më të ulëta për akomodimin, ushqimin dhe transportin. Autorët e artikullit theksojnë se izolimi i gjatë gjatë regjimit komunist e ka mbrojtur vendin nga turizmi masiv dhe zhvillimi i pakontrolluar i resorteve të mëdha, duke ruajtur kështu peizazhet natyrore.
Në artikull veçohen qytetet e Gjirokastrës dhe Beratit, të cilat janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për vlerat e tyre arkitektonike. Gjithashtu, Tirana përshkruhet si një qytet modern në zhvillim, që po ndryshon pamjen e tij përmes projekteve të reja të dizajnit dhe urbanistikës.
Media amerikane shton se rritja e fluturimeve direkte nga qendrat kryesore evropiane e ka bërë Shqipërinë më të aksesueshme për vizitorët ndërkombëtarë. Pavarësisht vlerësimit, artikulli vë në dukje se rritja e investimeve në infrastrukturë dhe zhvillimi i shpejtë i turizmit mund të sjellin ndryshime në nivelin e çmimeve në të ardhmen.
Krahas Shqipërisë, në listën e 10 destinacioneve për vitin 2026 bëjnë pjesë edhe Uzbekistani, Butani, Kosta Rika, Japonia, Sllovenia, Sri Lanka, Ishujt Faroe, Pulja në Itali dhe Armenia.