Një investigim i gazetës italiane Corriere della Sera nxjerr në dritë një rrjet pronash luksoze në Londër të lidhura me Mojtaba Khamenei-n, djalin e udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei. Sipas raportit, ai kontrollon një portofol pronash me vlerë rreth 250 milionë euro, të blera përmes ndërmjetësve dhe kompanish guaskë.
Mes këtyre pronave dallohen 11 vila luksoze në lagjen Hampstead, të njohur si "Rruga e Miliarderëve", si dhe dy apartamente luksoze pranë rezidencës mbretërore Kensington Palace, ku jetojnë Princi William dhe Kate Middleton. Këto dy apartamente ndodhen më pak se 50 metra larg ambasadës së Izraelit në Londër, çka ka ngritur shqetësime te shërbimet e inteligjencës britanike.
Sipas një hetimi të Bloomberg-ut, apartamentet u blenë midis viteve 2014-2016 me fonde të dyshuara nga të ardhurat e naftës iraniane, të siguruar duke anashkaluar sanksionet ndërkombëtare. Zyrtarisht, pronat janë në emër të Ali Ansari-t, oligark iranian dhe mik i afërt i familjes Khamenei, i cili ka shërbyer si pronar figurant. Në vitin 2013, përmes një kompanie guaskë në Isle of Man, u bleu grupi i vilave në Hampstead, me Ansari-n si përfitues përfundimtar.
Qeveria britanike ka ngrirë këto prona pasi vendosi Ansari-n nën sanksione për dyshimet se ka financuar Gardën Revolucionare të Iranit. Dy apartamentet pranë Kensington Palace vlerësohen sot rreth 60 milionë euro. Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se pozicioni i tyre mund të lejojë mbikëqyrje të ambasadës izraelite.
Përditësime
Burim sigurie deklaroi për Daily Mail: "Ky nuk është një seri pronash, është një bazë e përhershme mbikëqyrjeje".
- Autoritetet arrestuan katër shtetas iranianë me pasaporta britanike në Londër pak ditë më parë, nën dyshime sigurie.
- Apartamentet ndodhen në katin e gjashtë dhe të shtatë; ofrojnë mundësi për fotografim, ndëgjim bisedash dhe monitorim interneti pranë ambasadës izraelite.