Enkeleid Dobi, trajneri i Teutës, foli për mediat në prag të ndeshjes me Dinamon, e cila zhvillohet të enjten në orën 17:00 në stadiumin Niko Dovana.
Synimi i skuadrës është vetëm fitorja. "Është një ndeshje e vështirë, pasi Dinamo për momentin është ekipi më në formë, gjë që e ka treguar me lojën dhe rezultatet e fundit. Megjithatë, ne nuk kemi kontroll mbi atë që bën Dinamo, por kemi kontroll mbi mënyrën se si reagojmë ne. Nëse do të jemi të organizuar dhe të disiplinuar në mënyrë perfekte, duke ditur që Dinamo ka cilësi, por edhe duke vlerësuar veten tonë, mendoj se mund t’ia dalim me sukses", deklaroi Dobi.
Afrimet në merkato
Sa i përket afrimeve, trajneri vlerësoi se lojtarët e rinj, si Daci që ndeshjen e fundit e luajti në nëntor, do të përshtaten me kohë. "Stërvitja individuale nuk është e njëjtë me atë në grup. Megjithatë, me kalimin e kohës, afrimet do të japin ndihmën e tyre dhe do të përshtaten si me konceptin, ashtu edhe me idenë e përgatitjes fizike." Ai shtoi se presin ende 2-3 afrime të tjera, sa më shpejt aq më mirë, për të ndihmuar ekipin në fazën e dytë të kampionatit.
Bilanci në Superiore
Në lidhje me bilancin në dy fazat e para të Superiore, Dobi theksoi se nuk mendojnë shumë për statistikat. "Në çdo ndeshje hyjmë për tri pikë. Në ndeshjen me Voren pamë një Teutë shumë entuziaste në interpretimin e lojës, por duhet të jemi më cinikë në realizim dhe në finalizimin e aksioneve. Objektivi ynë është të rikthehemi te fitorja në kampionat pas pesë ndeshjesh pa fitore." Merkatoja është bërë për të zgjidhur problemin e golit.