Milorad Dodik, ish-kryetari i entitetit Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, deklaroi se Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në vend, ka dështuar. Deklarata u bë të hënën pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Në një postim në platformën X, Dodik shkroi se e ka informuar Vuçiqin se Marrëveshja e Dejtonit ka dështuar, Bosnja dhe Hercegovina ka atrofuar për shkak të mosgatishmërisë së politikës së Sarajevës për t’i respektuar të drejtat e Republika Sërpska, gjykatat janë kthyer në mjet hakmarrjeje dhe se Republika Sërpska ka të drejtë dhe detyrim ta mbrojë veten si dhe popullin serb.
Para takimit në Beograd, Dodik zhvilloi vizita në Izrael dhe Hungari.
Sfondi ligjor
Gjykata Kushtetuese e Bosnjës në nëntor të vitit të kaluar refuzoi ankesat e Dodikut kundër një vendimi që ia ndaloi atij pjesëmarrjen në politikë dhe ia mori mandatin si president i Republika Sërpska. Dodikut iu ndalua të mbajë poste politike për 6 vjet për kundërshtimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë, Christian Schmidt.
Në fund të nëntorit, Sinisha Karan, aleat i ngushtë i Dodikut, u zgjodh president i ri i Republika Sërpska.