Përfaqësues të Klubit të Popullit Boshnjak në Dhomën e Popujve të Parlamentit të Bosnjës dhe Hercegovinës kanë paraqitur padi penale kundër liderit të SNSD-së, Milorad Dodik, duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, përçarje dhe mungesë tolerance.
Padia lidhet me deklaratat e fundit të Dodikut, ku ai tha se “myslimanët dhe Sarajeva janë armiqtë tanë” dhe paralajmëroi rikthimin e ushtrisë së Republikës Serbe. Sipas tyre, këto fjalë përbëjnë fyerje dhe nënçmim ndaj popullit boshnjak.
Në deklaratën zyrtare, Klubi thekson se deklaratat janë pjesë e një retorike të vazhdueshme ndër vite, që synon të diskreditojë boshnjakët. Ata e quajnë këtë vepër penale dhe thonë se vetëm organet e drejtësisë mund ta ndalojnë.
“E kaluara e Bosnjës dhe Hercegovinës dëshmon se fjalët e pandëshkuara shpesh paraprijnë ngjarje më të rënda”, thuhet në deklaratë.
Përfaqësuesit boshnjakë paralajmëruan se do të kërkojnë nga institucionet kompetente zbatimin e plotë të aktgjykimit të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, që e dënoi Dodikun me një vit burg dhe ndalim 6-vjeçar të ushtrimit të funksioneve publike.