Zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës zhvilluan kontrolla në Prishtinë për të verifikuar respektimin e ligjit që kufizon qarkullimin e automjeteve me targa të huaja në tre muaj.
Kontrolli u fokusua në automjetet që kalojnë afatin e lejuar, ato të drejtuara nga shtetas kosovarë pa leje qëndrimi në vende të tjera dhe automjetet pa targa.
Artjan Gjonbalaj, udhëheqës i Njësitit Antikontrabandë, deklaroi për RTK se ekipet anti-kontrabandë të doganës bashkëpunuan me policinë. "Ne bashkë me disa ekipe anti-kontrabandë të doganës së Kosovës dhe me Policinë e Kosovës, kemi vendosur disa pika kontrolli në qytetin e Prishtinës për të realizuar kontroll lidhur me qarkullimin e automjeteve me targa të huaja", tha ai.
Vetëm brenda pak minutash, në tri pika kontrolli, u sekuestruan tre vetura, të cilat u dërguan në terminalin doganor në Prishtinë. Ndër to ishte një automjet me targa shqiptare, të drejtuar nga një shtetas kosovar që ushtronte biznes në Kosovë, në kundërshtim me ligjin.
Gjatë aksionit, zyrtarët shpjeguan shoferëve dispozitat ligjore, sipas të cilave automjetet me targa të huaja mund të qarkullojnë vetëm për tre muaj. Gjonbalaj njoftoi se aksioni vazhdon dhe do të përsëritet në ditët në vijim.