Zyrtarët doganorë në pikën kufitare Vërmicë kanë ndaluar një automjet që hynte në territorin e Kosovës nga Shqipëria. Ngjarja ndodhi më 5 mars 2026.
Gjatë pyetjes standarde, drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk kishte mallra për deklarim. Bazuar në analizën e rrezikut, automjeti u selektua për kontroll të detajuar në vijën e dytë.
Kontrolli zbuloi gjithsej 610 produkte kozmetike dhe të kujdesit personal, duke përfshirë artikuj për lëkurën dhe flokët, maska fytyre si dhe parfume të markave të njohura.
Dogana e Kosovës ka konstatuar kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallrave. Ndaj rastit janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.
Dogana e Kosovës rikujton udhëtarët dhe operatorët ekonomikë se çdo mall që tejkalon kufijtë e lejuar duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore, për të shmangur shkeljet ligjore dhe pasojat e tyre.