Gjatë procedurave të zhdoganimit në Zyrën e Doganimit të Brendshëm në Aeroport, zyrtarët doganorë identifikuan shmangie të rregullave pas kontrollit fizik të një dërgese. Dyshimet fillestare u ngritën gjatë verifikimit të dokumentacionit, ku ngarkesa ishte paraqitur si “Polycarboxylate Superplasticizer”. Kontrolli fizik konfirmoi se malli nuk përputhej me përshkrimin e deklaruar, pasi brenda pakos u gjetën produkte medicinale të destinuara për dobësim.
Sipas njoftimit zyrtar, këto produkte nuk janë të aprovuara për qarkullim në tregun e Kosovës. Për importimin e tyre është e detyrueshme pajisja me leje përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPPM). Vlera e mallit të konfiskuar është vlerësuar në 1,775.90 euro, shumë kjo që nuk përfshin taksat dhe detyrimet doganore.
Autoritetet doganore konstatuan se pala kishte tentuar qëllimisht të shmangte kontrollin dhe procedurat e detyrueshme përmes ndryshimit të përshkrimit të mallit dhe deklarimit të të dhënave të pasakta. Si pasojë, ndaj palës janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi. Rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës.