Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka zhvilluar një vizitë në Doganën e Kosovës, ku është pritur nga drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu. Gjatë vizitës, u bë e ditur se të hyrat doganore kanë arritur në 1.347 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 6 për qind në krahasim me periudhën e mëparshme.
Sipas të dhënave të prezantuara, performanca e Doganës së Kosovës është përmirësuar ndjeshëm, ku në periudhën pesëvjeçare 2021-2025 janë arkëtuar 8 miliardë e 380 milionë euro. U theksua se gjatë këtyre viteve, rritja mesatare e të hyrave doganore ka qenë gati trefish më e lartë se norma e rritjes ekonomike në vend.
Institucioni ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për të lehtësuar veprimtarinë e bizneseve, ndër të cilat veçohen:
• Përmbyllja e shtetëzimit të terminaleve doganore.
• Zbatimi i deklarimit të mallrave para arritjes, masë e cila ka ndikuar në shkurtimin e kohës së procesimit me 70 për qind.
Krahas efikasitetit në arkëtim, Dogana ka intensifikuar luftën kundër kontrabandës nëpërmjet forcimit të kontrolleve në pikat kufitare dhe përdorimit të teknologjisë. Një ndikim të rëndësishëm në këtë drejtim ka pasur funksionalizimi i skanerit në Merdar. Për modernizimin e mëtejshëm të shërbimeve, janë në proces projekte strategjike si Dritarja e Vetme Kombëtare, Tranziti i Përbashkët, automatizimi i proceseve dhe avancimi i kapaciteteve teknologjike të institucionit.