Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 1 milion euro të padeklaruara në një automjet në pikën kufitare Merdare. Drejtori Agron Llugaliu ka konfirmuar rastin në një postim në LinkedIn.
Ai ka theksuar se zbulimi është rezultat i përkushtimit të stafit, investimit në skanërët X-Ray (donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës) dhe bashkëpunimit në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit midis Doganës dhe Policisë Kufitare.
Deklarata e plotë e Llugaliut:
Rreth 1 milion euro të padeklaruara janë zbuluar në PKK Merdare – një ndër goditjet më të rëndësishme ndaj lëvizjeve të paligjshme financiare. Rezultat direkt i përkushtimit të stafit tonë si dhe i investimit strategjik në skanerët X-Ray, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe i bashkëpunimit efektiv në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes Doganës dhe Policisë Kufitare. Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre shtetas të huaj janë arrestuar për të mundësuar hetime të mëtejshme. Përkushtimi dhe profesionalizmi i zyrtarëve tanë është për çdo lëvdatë dhe shtrihet mbi synimin tonë për kufij të sigurt.
Rasti është raportuar nga media si Kosova Sot, Lajmi.net, Ekonomia Online, Telegrafi dhe Zëri. Hetimet vazhdojnë nga autoritetet.