Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi në një moment humoristik gjatë një aktiviteti publik të mbajtur në Red Rock Casino Resort and Spa në Las Vegas. Gjatë prezantimit të programit Trump Accounts dhe politikës së administratës së tij për heqjen e taksës mbi bakshishet, presidenti kishte ftuar në skenë një familje nga Las Vegasi, të përbërë nga Sandra, Brad dhe dy fëmijët e tyre.
Ndërsa Sandra po përgatitej të fliste para të pranishmëve, djali i saj i vogël nisi të largohej nga skena. Donald Trump ndërhyri menjëherë duke e ndalur vogëlushin përpara se ai të mund të rrëzohej. Duke iu drejtuar audiencës, presidenti bëri një batutë duke thënë: “Nuk dua që ai të bëhet si Biden dhe të bjerë nga skena”. Ky koment u prit me të qeshura dhe duartrokitje nga të pranishmit në sallë.
Pas këtij momenti, fëmija shprehu dëshirën për të folur në mikrofon. Pas disa fjalëve të pakuptueshme në fillim, me ndihmën e nënës së tij, vogëlushi arriti të përsëriste: “Faleminderit për llogarinë time Trump Account.” Ngjarja u regjistrua si një moment mbështetës për programin ekonomik të administratës së presidentit, ndërsa pamjet e ndërhyrjes u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.