Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas vrasjes së një 25-vjeçareje në fshatin Kërvasari të Malishevës. Ngjarja, e cila ndodhi përmes përdorimit të armës së zjarrit, la gjithashtu të lënduar bashkëshortin e saj, i cili aktualisht është i dyshuar nga Prokuroria si autor i krimit.
Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Gërvalla u bëri thirrje organeve të sigurisë dhe drejtësisë që ta trajtojnë rastin me seriozitetin maksimal dhe të hetojnë çdo rrethanë pa kompromis. Ajo theksoi se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si një konflikt familjar apo çështje private.
"Dhuna ndaj grave nuk është çështje private. Nuk është konflikt familjar. Nuk është 'punë e shtëpisë'. Dhuna ndaj grave është krim dhe ndaj saj do të ketë zero tolerancë", deklaroi Gërvalla. Ajo vlerësoi se humbja e jetës së 25-vjeçares është një alarm i rëndë për shoqërinë dhe institucionet, duke ritheksuar nevojën për parandalimin e këtyre fenomeneve përpara se të shkaktojnë pasoja të pakthyeshme. Ministrja shtoi se përballë dhunës nuk mund të ketë heshtje apo indiferencë, por vetëm përballje të autorëve me ligjin dhe drejtësi të plotë. Në përfundim, ajo u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimës.