Pas reagimeve të shumta publike mbi xhirimin e videoklipit të reperit nga Kosova, Don Xhoni, në monumentin e mbrojtur Makedonium në Krushevë, drejtori i Institucionit Kombëtar Muzeu Historik – Krushevë, Miha Oxhaklieski, njoftoi dorëheqjen e tij të parevokueshme.
Vendimi për dorëheqjen pasoi kritikat e forta në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e cilësuan si të papërshtatshme përdorimin e një objekti të rëndësisë historike dhe kulturore për qëllime komerciale. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, reagoi ashpër, duke e quajtur rastin si diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Ai paralajmëroi kërkesën për shkarkimin e drejtorit dhe të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues të këtij institucioni, duke theksuar se institucionet e tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të tilla.
Në deklaratën e tij, Miha Oxhaklieski theksoi se dorëheqja është një akt personal, moral dhe etik. Megjithëse pranoi se veprimi i tij ishte shprehje e përgjegjësisë ndaj opinionit publik, ish-drejtori pohoi se në rastin konkret nuk është shkelur asnjë ligj apo rregullore dhe se dhënia me qira e hapësirës për 500 euro ishte pjesë e një praktike të vendosur më parë. Nga ana tjetër, reperi Don Xhoni reagoi përmes rrjeteve sociale, duke sqaruar se përdorimi i monumentit ishte zgjedhje e produksionit për nevojat artistike të videoklipit, pa pasur qëllim provokimin apo ofendimin e ndonjë simboli.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, bëri të ditur se ministria është duke mbledhur informacione të hollësishme dhe do të shqyrtojë mundësinë e ndryshimeve ligjore për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla. Ai theksoi se, ndonëse institucionet kulturore kanë të drejtën ligjore të japin hapësira me qira, drejtuesit duhet të ushtrojnë kujdes të lartë mbi llojin e përmbajtjeve që realizohen në këto objekte të mbrojtura.