Dorian Puka, 32 vjeç, humbi apelin kundër dëbimit nga Britania e Madhe dhe pritet të dëbohet për herë të pestë. Gjykata e Emigracionit rrëzoi kërkesën e tij për të qëndruar në vend, të mbështetur te pretendimi se jeta e tij do të ishte në rrezik nëse kthehej në Shqipëri.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga mediat, Puka mbërriti për herë të parë në Britani në vitin 2012 ose 2013, kur ishte ende adoleshent. Ai u dënua katër herë me burg për vjedhje dhe vepra të tjera penale. Pas dëbimeve, u kthye sërish në vend në mënyrë të paligjshme.
Në janar 2016, ai u dënua me nëntë muaj burg për vjedhje me thyerje dhe u dëbua një muaj më vonë. Më 3 nëntor të po atij viti u dënua sërish për vjedhje me thyerje, këtë herë me dy muaj burg, dhe u kthye në Shqipëri pas 20 ditësh. Pas një tjetër rikthimi, u arrestua më 17 nëntor 2017 dhe u dënua me 42 muaj burg për vjedhje me thyerje, vjedhje dhe shkelje të rregullave të drejtimit të automjeteve. Ai u dëbua më 20 dhjetor 2018.
Në gusht 2019, Puka u arrestua për drejtim të rrezikshëm të automjetit, drejtim pa të drejtë dhe mbajtje të mjeteve për vjedhje. Mori 18 muaj burg dhe u dëbua më 29 korrik 2020. Sipas deklarimit të tij në gjykatë, ai hyri sërish në Britani më 15 tetor 2021. Kërkoi leje qëndrimi në dhjetor 2022 dhe paraqiti kërkesë për azil në korrik 2023. Ministria e Brendshme britanike e refuzoi kërkesën në shtator 2024, dhe Puka apeloi.
Në gjykatë, Puka tha se një bandë shqiptare e kishte detyruar të kryente vjedhje, si dhe se ai dhe familja e tij ishin kërcënuar pasi u përpoq të largohej nga grupi. Sipas tij, pas kthimit në Shqipëri mësonte se banda po e kërkonte dhe largohej sërish brenda dy ose tri javësh. Përfaqësuesja e Ministrisë së Brendshme, Khdeeja Khan, kundërshtoi pretendimet, duke thënë se nuk kishte prova për rrezikun dhe se Puka nuk kishte raportuar kërcënime në polici.
Gjykatësi Ravinder Bagral tha se nuk ishte provuar se banda e kishte kontrolluar ose detyruar Pukën të kryente krime, se ai ishte rrëmbyer apo se ishte ndjekur vazhdimisht. Gjykata nuk gjeti prova bindëse se grupi vazhdonte të përbënte rrezik për të, përfshirë rrezik nga gjakmarrja. Ajo arriti në përfundimin se nuk kishte rrethana që të mbizotëronin mbi interesin publik për dëbimin.
Kërkesa për anonimitet
Gjykata kishte dhënë fillimisht urdhër anonimiteti, me arsyetimin se publikimi i vendndodhjes mund ta vinte Pukën në rrezik. Daily Mail e kundërshtoi vendimin, duke vënë në dukje se ai kishte publikuar në rrjetet sociale një video të filmuar në qendrën e gjykatës së emigracionit Taylor House. Gjykatësi e anuloi urdhrin dhe tha se videoja e bënte të identifikueshme pjesëmarrjen e Pukës në gjykatë.