Një 39-vjeçar me origjinë nga Kosova, Avdi Alija, ka fituar betejën ligjore për të qëndruar në Britaninë e Madhe, pasi një gjykatës emigracioni bllokoi dëbimin e tij. Alija, i cili mbërriti në Britani në vitin 2002 i fshehur në një kamion në moshën 14-vjeçare, ka një histori të gjatë kriminale me rreth 50 vepra penale, duke përfshirë vjedhje, grabitje dhe posedim kokaine.
Ndër dënimet e tij më të rënda ishte ai për pjesëmarrje në një pengmarrje në vitin 2018. Sipas të dhënave gjyqësore, ai së bashku me një grup personash mori me forcë një viktimë, e cila u mbajt e izoluar në banesën e Alijas për 4 orë e gjysmë, duke u kërcënuar me thikë dhe ujë të valë për një shumë prej 50 mijë paund. Për këtë vepër, ai u dënua me 9 vjet burgim për burgosje të paligjshme dhe 1 vit tjetër për plagosje të rëndë.
Në mars të vitit 2022, ish-ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel, kishte lëshuar një urdhër dëbimi për Alijan, duke e vlerësuar si rrezik për komunitetin. Megjithatë, gjyqtari Ian Boyes, në seancën e datës 29 shtator, vlerësoi se ndonëse ai nuk plotëson kriteret për azil sipas Konventës së Gjenevës, dëbimi i tij drejt Kosovës do të shkelte Nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata mori parasysh faktin se prindërit e tij romë ishin vrarë gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) dhe se ai konsiderohet praktikisht pa shtetësi. Sipas ekspertëve të dëgjuar në gjykatë, kthimi i tij do ta ekspozonte ndaj rrezikut të diskriminimit dhe shfrytëzimit. Si rrjedhojë, apeli i tij u pranua dhe ai do të vazhdojë të qëndrojë në Britani pas lirimit me kusht nga burgu.