Gjykata e Lartë e Londrës (Royal Courts of Justice) ka miratuar ekstradimin drejt Shqipërisë të 37-vjeçarit shqiptar Denis Havalja, i dënuar në mungesë për përdhunimin e një vajze 13-vjeçare në Bulqizë më 29 shkurt 2016.
Sipas vendimit të Gjykatës së Matit në Bulqizë të vitit 2017, i konfirmuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë në vitin 2018, Havalja u dënua me 5 vite burg. Viktima deklaroi se, ndërsa shkonte në shkollë, u ndalua nga një makinë Range Rover dhe u mor me forcë brenda.
Për të shmangur drejtësinë shqiptare, ai iku në Angli duke përdorur emrin Dashamir Havalja. Atje, në vitin 2015, u dënua me 18 muaj burg për shpërndarje droge dhe u dëbua. Pas kthimit, më 13 prill 2023, u dënua me 6 muaj burg për goditje ndaj një punonjësi të emergjencave. Në fund të këtij dënimi, në një qendër dëbimi, u identifikua si i kërkuar nga Interpol Tirana.
Westminster Magistrate Court lejoi ekstradimin më 6 dhjetor 2024, por Havalja apeloi në Gjykatën e Lartë. Avokatët e tij pretenduan se, që nga maji 2025, gjatë qëndrimit në burg, ai vuante nga një çrregullim i përzier anksiet dhe depresioni, me seanca të rregullta mjekësore.
Gjykatarsja Mrs. Justice Eady rrëzoi apelin. Juristët e Ministrisë së Drejtësisë shqiptare, bashkë me juristen britanike Amanda Bostock, mbrojtën kërkesën për ekstradim. Vendimi u bë publik më 15 shkurt 2026, bazuar në dokumente të disponuara nga gazetari Muhamed Veliu i Top Channel.