Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar ka pranuar apelimin e shtetit shqiptar lidhur me procesin e ekstradimit të pesë shtetasve të dyshuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2023 në Lezhë. Vendimi është marrë nga një panel i përbërë nga Lord Lloyd-Jones, Lord Burrows dhe Lady Rose.
Çështja ka lindur nga mospërputhjet ligjore mbi akuzat e ngritura gjatë procedurës së ekstradimit. Fillimisht, autoritetet shqiptare kërkuan ekstradimin për veprat penale “vrasje për shkak të gjakmarrjes” dhe “prodhim dhe posedim i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe municionit”. Megjithatë, gjatë procedurave, ish-sekretarja e shtetit për punët e brendshme, Yvette Cooper, gaboi në certifikatat e ekstradimit duke përdorur emërtime të ndryshme, përkatësisht “vrasje me paramendim”.
Në maj të vitit 2026, Gjykata e Lartë në Londër pranoi apelimin e të dyshuarve, duke vlerësuar se mospërputhja midis kërkesës së Shqipërisë dhe certifikatave të nënshkruara ishte shkak për shfuqizimin e urdhrave të ekstradimit. Përballë këtij vendimi, pala shqiptare dhe Ministri i Brendshëm britanik ndërmorën hapat ligjorë për të apeluar në Gjykatën Supreme.
Aktualisht, Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Steven Hunt mbahen në paraburgim në Londër, ndërsa Harriet Bridgeman ndodhet në liri me kusht. Për të njëjtën ngjarje, Ruben Saraiva, i dyshuar si autori i drejtpërdrejtë i vrasjes, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lezhës.