Gjykata Supreme në Angli ka caktuar datën 10 mars 2027 për të zhvilluar seancën dëgjimore ku do të shqyrtohet apeli i autoriteteve shqiptare dhe i Sekretares së Shtetit për Punët e Brendshme, Shabana Mahmood, lidhur me ekstradimin e pesë personave të akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Sipas njoftimit të zëdhënësit të kësaj gjykate, seanca do t'u mundësojë përfaqësuesve të shtetit shqiptar dhe mbrojtësve ligjorë të të kërkuarve të prezantojnë argumentet e tyre brenda një dite të plotë gjyqi. Të pandehurit, të cilët janë objekt i këtij procesi ekstradimi, janë Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harry Simpson, Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt. Ata akuzohen për pjesëmarrje në planifikimin e vrasjes së Ardian Nikulajt, një krim për të cilin Ruben Saraiva është shpallur tashmë fajtor dhe është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare. Skenari ligjor për të cilin do të shprehet Gjykata Supreme përqendrohet te interpretimi i nenit 93 të Ligjit për Ekstradimin të vitit 2003. Mosmarrëveshja juridike rrjedh nga ndryshimet në dispozitat penale gjatë fazave të ndryshme të procesit. Në kërkesat fillestare, autoritetet shqiptare i referoheshin nenit 78/a (vrasje për gjakmarrje) dhe 278/1 (armëmbajtje pa leje) të Kodit Penal, ndërsa në përfundim të shqyrtimit në shkallët më të ulëta, kërkesat u fokusuan te akuza për “vrasje me paramendim” sipas nenit 78. Për shkak të kësaj mospërputhjeje teknike, Gjykata e Lartë (High Court) kishte shfuqizuar më parë urdhrat e ekstradimit. Vendimi i asaj gjykate është apeluar tashmë në instancën më të lartë gjyqësore britanike, e cila pritet të japë fjalën përfundimtare për ligjshmërinë e procedurave të kërkuara nga pala shqiptare.
Përditësime
Gjykata Supreme në Angli ka caktuar datën 10 mars 2027 për seancën e shqyrtimit të apelit për ekstradimin e pesë të dyshuarve.