Publikimi i materialeve nga dosja e Jeffrey Epstein ka synuar transparencën, por ka nxitur një valë teorish konspirative. Këto përfshijnë pretendime nga më seriozet, që përfshijnë CIA-në, deri te trillime të ushqyera nga inteligjenca artificiale dhe retorika politike, sipas mediave të huaja si CNN.
Teoritë për spiunazh rus
Ekziston teoria se Epstein punonte për Russinë ose Izraelin. Ai u përpoq disa herë të takohej me Vladimir Putin përmes ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak. Kremlini ka deklaruar se pretendimi se Epstein ishte spiun rus është i pabazuar dhe i pavërtetë. Megjithatë, kryeministri polak Donald Tusk ka bërë të ditur se qeveria e tij do të hetojë lidhjet e mundshme midis Epstein-it dhe rusëve.
Lidhjet e supozuara me Mossad-in
Ehud Barak, ish-udhëheqës izraelit dhe bashkëpunëtor i Epstein-it, deklaroi se i vjen keq që u takua me abuzuesin e dënuar seksual. Benjamin Netanyahu theksoi se marrëdhënia e Epstein-it me Barak-un vërteton se ai nuk punonte për Izraelin. Teoria se Epstein ishte agjent i Mossad-it mbetet e vazhdueshme dhe ushqen pyetje rreth origjinës së pasurisë së tij. Kongresmeni republikan Thomas Massie nga Kentaki, i cili ndihmoi në publikimin e dosjeve, ka shprehur dyshime për lidhjet e Epstein-it me Izraelin.
Akuza reale dhe të rreme
Departamenti i Drejtësisë amerikan ka paralajmëruar se dosjet përmbajnë akuza të pabaza dhe të rreme, si raportime të paverifikuara për ngacmime seksuale që implikojnë Donald Trump. Qeveria franceze lëshoi deklaratë se grupi rus i propagandës Storm 1516 përpiqet të përhapë dezinformata rreth kontakteve të Epstein-it me presidentin Emmanuel Macron, gjë që nuk ndodhi. Ndërkohë, Franca po heton lidhjet e Epstein-it me ish-ministrin e kulturës Jack Lang.