Manchester United ka marrë një vendim të rëndësishëm sa i përket trajnerit për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e lartë të klubit, Omar Berrada, shefi ekzekutiv, dhe Jason Wilcox, drejtori i futbollit, kanë rekomanduar që Michael Carrick të caktohet trajner i përhershëm. Ky rekomandim pritet të diskutohet në një takim të komitetit ekzekutiv këtë javë.
Carrick, 44-vjeçari ish-mesfushor i Unitedit, e ka zëvendësuar Ruben Amorimin në janar si trajner i përkohshëm. Gjatë periudhës së tij, skuadra ka regjistruar 10 fitore, tre barazime dhe dy humbje në 15 ndeshje. Kjo performancë e ka çuar Unitedin nga vendi i shtatë në të tretin në tabelën e Premierligës, duke siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga sezoni 2022/23.
Skuadra ka grumbulluar 33 pikë në këtë periudhë, më shumë se çdo klub tjetër i Premierligës. Carrick ka udhëhequr fitore të rëndësishme ndaj Manchester Cityt, Arsenalit, Aston Villas, Chelseas dhe Liverpoolit.
Vendimin përfundimtar do ta marrë Sir Jim Ratcliffe, aksioner minoritar që kontrollon operacionet e futbollit. Familja Glazer, aksionarët kryesorë, raportohet se është e kënaqur që Ratcliffe të vendosë. Carrick ka kontratë vetëm deri në fund të sezonit dhe është përfshirë në diskutimet për përforcimet verore.
Bisedimet formale me Carrickun pritet të nisin para ndeshjes së fundit ndaj Brightonit më 24 maj. Marrëveshja thuhet se mund të arrihet lehtësisht sa i përket detajeve.