Përballja ndërmjet Dritës dhe Florianas, e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, është mbyllur në kohën e rregullt me rezultatin 1-1. Ky rezultat e ka dërguar ndeshjen në vazhdime, për të përcaktuar fituesin që do të avancojë në fazën tjetër të garës.
Ekipi mysafir nga Malta kaloi në avantazh në minutën e 40-të, kur Paul Mbong shënoi një gol të fuqishëm nga distanca, duke lënë pa mundësi reagimi portierin Maloku. Pavarësisht se kampionia e Kosovës tregoi përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e lojës dhe krijoi raste gjatë pjesës së parë, shifrat mbetën në favor të maltezëve deri në minutat e fundit të takimit.
Momenti i barazimit për Dritën erdhi në minutën e 88-të. Pas një aksioni individual, ku lojtari Ovouka depërtoi me shpejtësi duke lënë pas disa kundërshtarë, topi i dërguar në qendër të zonës u shfrytëzua nga Jorgo Pëllumbi, i cili nga pozicioni i afërt nuk gaboi duke e dërguar topin në rrjetë. Ndeshja e parë e zhvilluar në Maltë ishte mbyllur gjithashtu me barazim 1-1, duke e bërë situatën e përgjithshme të barabartë dhe duke detyruar zhvillimin e dy pjesëve shtesë për të përcaktuar fatin e kualifikimit.