Kampionia e Kosovës, Drita, e ka mbyllur aventurën e saj evropiane pas një eliminimi dramatik në Andorrë kundër Inter D’Escaldes. Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë në Prishtinë, sfida e kthimit përfundoi pa gola pas 90 minutave të rregullta dhe kohës shtesë, duke e çuar fatin e kualifikimit te gjuajtjet e penalltive.
Në serinë e penalltive, ekipi nga Andorra u tregua më i saktë, duke triumfuar 4-2. Për Dritën, realizoi Besnik Krasniqi, ndërsa tentativat e Kristal Abazaj dhe Igball Jashari nuk u shndërruan në gol. Portieri Faton Maloku pati ndërhyrje të rëndësishme gjatë lojës dhe ndali një penallti të kundërshtarit, por kjo nuk mjaftoi për të siguruar fazën e ligës.
Eliminimi në këtë fazë sjell pasoja të rënda financiare për klubin gjilanas. Sipas përllogaritjeve, Drita do të përfitojë 1.71 milionë euro nga pjesëmarrja e deritanishme në këtë edicion të garave evropiane. Humbja e mundësisë për t'u kualifikuar në fazën e ligës ka kushtuar rreth 3.1 milionë euro shtesë, shumë që do të ishte siguruar në rast kualifikimi.
Kjo humbje shënon fundin e përfaqësimit të skuadrave kosovare në garat evropiane për këtë sezon. Drita, e cila e nisi rrugëtimin në Ligën e Kampionëve, kaloi katër raunde kualifikuese përpara se të ndalej në prag të fazës së ligës së Ligës së Konferencës.
Përditësime
Ndeshja u zgjat për 30 minuta lojë shtesë përpara se fati i kualifikimit të vendosej nga pika e bardhë. Për Inter D'Escaldes penalltitë i shndërruan në gol Lamine Diaby, Juan Camara, Maurizio Pochettino dhe Faysal Chouaib. Për Dritën, përveç të tjerëve, gol nga penalltia shënoi edhe Raddy Ovouka.