Një dron ushtarak MQ-9A Predator, në përdorim nga kontingjenti italian, u godit në bazën ajrore Ali Al Salem në Kuvajt. Baza është një nga qendrat kryesore të koalicionit ndërkombëtar për operacionet e sigurisë në Lindjen e Mesme.
Mjeti pa pilot, i prodhuar nga kompania amerikane General Atomics, shërbente si aset kryesor për Italinë në aktivitetet e inteligjencës, survejlimit dhe zbulimit. Vlera e sistemit tejkalon 35 milionë dollarë, duke përfshirë avionin, sensorët e avancuar, sistemet e komunikimit dhe infrastrukturën e kontrollit tokësor. Vetëm avioni vlerësohet rreth 30 milionë dollarë.
MQ-9A Predator është dron me lartësi mesatare-të lartë dhe autonomi të gjatë, i projektuar për misione survejimi të vazhdueshëm në zona të gjera. Ai mund të qëndrojë në ajër për më shumë se 24 orë dhe të operojë deri në rreth 15 mijë metra lartësi. Kjo lejon monitorimin e zonave të ndjeshme pa rrezikuar personelin në terren.
Droni posedon sensorë elektro-optikë dhe infra të kuq me saktësi të lartë. Këta mundësojnë identifikimin e lëvizjeve të dyshimta, përcaktimin e objektivave dhe transmetimin e të dhënave në kohë reale tek komandat e koalicionit. Platforma është thelbësore për ndërgjegjësimin operacional në operacionet kundër grupeve xhihadiste dhe rrjeteve terroriste të Shtetit Islamik në Irak e Siri.
Për këto arsye, droni mbeti i vendosur në bazë edhe pas reduktimit të pranisë italiane për arsye sigurie. Humbja ka ndikim jo vetëm ekonomik, por edhe operativ, duke penguar mbledhjen e informacioneve strategjike për koalicionin.