Durim Bami u bë i njohur në mars 2015, pas publikimit të një videoje që përmendte përgatitjen e një atentati ndaj deputetëve Tom Doshi dhe Mëhill Fufi.
Më 3 mars 2015, Policia njoftoi arrestimin e tij në Hanin e Hotit, ku dyshohej se po arratisej drejt Malit të Zi. Në atë kohë, Bami, 36 vjeç nga Nikla e Krujës dhe pronar i disa pikave bastesh në Fushë-Krujë, konsiderohej i dyshuar si atentator i paguar për ekzekutimin e deputetëve.
Një javë para arrestimit, ai shpëtoi nga një atentat me eksploziv. Një person i rastësishëm vuri re rreth 400 gramë tritol të vendosur në gomën e parë të automjetit BMW X5, në krahun e shoferit, të parkuar në fund të pallatit në lagjen Grumbullimi të Fushë-Krujës. Forca policore dhe ekspertë xhenierë çaktivizuan lëndën plasëse me shpërthim të kontrolluar, pasi ajo ishte e paracaktuar të shpërthente sapo mjeti ndizej.
Burimet policore sqaruan se po verifikohej e kaluara e Durim Bamit, i njohur për precedentë penalë, si tentativa e vrasjes, heqja e paligjshme e lirisë dhe krijimi i skemave mashtruese.