Dy parashutiste humbën jetën të premten pas përplasjes në ajër pranë Liqenit Elsinore, në shtetin amerikan të Kalifornisë. Aksidenti ndodhi në lartësi rreth 45 metrash, teksa ato po përgatiteshin të uleshin. Pas përplasjes, parashutat e tyre u ngatërruan dhe të dyja pësuan lëndime fatale.
Parashutistet u transportuan me urgjencë në spital, por nuk mbijetuan, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. Identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
Sipas një zëdhënësi të kompanisë Skydive Elsinore, aksidenti ndodhi gjatë një kampi trajnimi për gratë, të organizuar nga kompania.
Deirdre Vickers, zëdhënëse e Zyrës së Sherifit të Qarkut Riverside, konfirmoi se ngjarja është nën hetim për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.