Florin Tota dhe Elizer Ahmetaj kanë pranuar në gjykatën Westminster Magistrate Court të Londrës ekstradimin e tyre vullnetar drejt Shqipërisë dhe Italisë. Arrestimet u bënë nga skuadra kombëtare e ekstradimeve pranë NCA-së britanike.
Florin Tota, 22-vjeçar i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, u arrestua në Manchester. Ai akuzohet se më 3 gusht 2019 në Shqipëri mbante pa leje një pistoletë me 9 fishekë. Gjatë seancës gjyqësore, Tota deklaroi se dëshiron të kthehet në Shqipëri për t'u përballur me drejtësinë.
Elizer Ahmetaj, i kërkuar nga Interpol Roma, fshihej në Britani. Ai përfshihet në trafikun e kanabisit me avion nga Vlora drejt Italisë në vitin 2015. Urdhri i arrestit italian e akuzon për shitje droge, konspiracion në trafik droge, largim nga vendi i aksidentit dhe plagosje.
Në të njëjtën gjykatë janë në proces ekstradimi 23 shtetas shqiptarë. Disa kërkohen nga drejtësia shqiptare për krime si plagosje me dashje dhe vrasje, si rasti i Pëllumb Lleshit. Të tjerët nga drejtësitë europiane për trafik droge, pjesëmarrje në organizata kriminale dhe grabitje shtëpish.
Britania e Madhe përdoret prej vitesh si vend fshehjeje nga shqiptarë me llogari të hapura me drejtësinë në Shqipëri dhe vende europiane.