Një ortek i madh ka goditur tre skiatorë të dielën në mëngjes në Courmayeur, në anën italiane të Alpeve, pranë Mont Blanc-ut dhe kufijve me Francën dhe Zvicrën. Ngjarja ndodhi në rrugën e njohur freeride "Couloir Vesès" në zonën Val Vény.
Sipas Shërbimit Italian të Shpëtimit Malor, dy skiatorë humbën jetën, ndërsa një tjetër u transportua në spital në gjendje kritike dhe ndërroi jetë më pas nga plagët e marra. Në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit morën pjesë 15 shpëtimtarë, tre ekipe me qentë e trajnuar për ortekë dhe dy helikopterë.
Courmayeur, qytet me rreth 2.900 banorë, ndodhet rreth 200 km në veri-perëndim të Milanit dhe do të presë garat e Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina.
Të njëjtën ditë, një person u mbulua pjesërisht nga një ortek në rajonin Trentino, por u shpëtua nga shokët.
Gjatë javës së kaluar, 13 skiatorë jashtë pistave, alpinistë dhe shëtitës malorë kanë humbur jetën në male italiane, prej të cilëve 10 u vranë nga ortekët e shkaktuar nga shtresat jashtëzakonisht të paqëndrueshme të borës.
Reshjet e fundit dhe erërat e forta kanë krijuar kushte veçanërisht të rrezikshme në të gjithë harkun alpin që shtrihet në kufijtë e Italisë, Francës, Zvicrës dhe Austrisë, paralajmëron shërbimi italian i shpëtimit.