Një incident i rëndë ka ndodhur paraditen e së mërkurës, 9 shtator 2026, në hidrocentralin e vjetër Ritom në fshatin Piotta, në kantonin e Ticinos në jug të Zvicrës. Pas një shpërthimi në ambientet e objektit, i cili u pasua nga një zjarr, dy punëtorë kanë humbur jetën.
Sipas informacioneve të bëra të ditura nga autoritetet, njëri prej viktimave ishte një shtetas zviceran 55-vjeçar, ndërsa identiteti i personit të dytë nuk është bërë ende publik. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesën e hidrocentralit, një objekt historik mbi 100-vjeçar që ishte duke iu nënshtruar punimeve të rinovimit në kuadër të një plani rizhvillimi.
Në vendngjarje u angazhua një numër i madh i forcave të emergjencës, përfshirë zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit Tre Valli dhe një helikopter i Rega-s. Zona u izolua menjëherë nga policia kantonale për të mundësuar ndërhyrjen e ekipeve dhe për të nisur hetimet përkatëse. Autoritetet kanë konfirmuar se hetimet janë në vazhdim e sipër për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta që çuan në këtë aksident fatal gjatë procesit të punës.
Përditësime
Prokurorja Valentina Tuoni po drejton hetimet për shpërthimin e ndodhur të mërkurën, më 9 shtator, rreth orës 09:30. Viktimat ishin punonjës të kompanisë AET dhe po kryenin një test për vënien në funksion të një transformatori elektrik. Viktima 55-vjeçare ishte banor i rajonit të Luganos. Kompanitë SBB dhe AET konfirmuan bashkëpunimin e plotë me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes.