Dy tërmete të fuqishme kanë goditur kryeqytetin e Venezuelës, Karakasin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe viktima. Sipas të dhënave paraprake, lëkundjet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ndodhën me një diferencë kohore prej vetëm 39 sekondash, duke krijuar kaos dhe panik.
Autoritetet kanë njoftuar se deri tani janë konfirmuar 32 viktima dhe rreth 700 të plagosur. Ekziston frika se shifra e viktimave mund të rritet, pasi nga rrënojat e ndërtesave të shembura dëgjohen ende thirrje për ndihmë. Ekipet e emergjencës janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në terren.
Lëkundjet ndodhën gjatë një dite feste kombëtare, në nder të Betejës së Karabobos të vitit 1821, kohë kur shumica e banorëve ndodheshin në shtëpitë e tyre. Një nga zonat më të goditura është lagjja Los Palos Grandes, ku raportohen ndërprerje të energjisë elektrike, mungesë të sinjalit telefonik dhe dëme të mëdha strukturore.
Qytetarët, të përfshirë nga frika, kanë dalë në rrugë për t'iu shmangur pasgoditjeve të mundshme. Për shumë banorë që e kanë përjetuar edhe tërmetin e vitit 1967, lëkundjet e fundit janë vlerësuar si edhe më të frikshme.