Pas shfaqjes së simptomave si të vjella, diarre dhe dhimbje barku te një grup fëmijësh në një kopsht në qytetin e Korçës, institucionet përgjegjëse kanë kryer monitorime higjieno-sanitare dhe analiza laboratorike. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetit Publik, kontrollet në institucion kanë rezultuar brenda standardeve të kërkuara, ndërsa analizat bakteriologjike të ujit dhe ushqimeve nuk kanë evidentuar prani të ndotjes.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka dërguar mostra të ushqimeve të datave 3 tetor pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) për analiza më të thelluara, të cilat pritet të zbardhin shkakun e problemeve shëndetësore. Drejtuesit e kopshtit kanë hedhur poshtë pretendimet për helmim, duke deklaruar se rastet mund të lidhen me një virozë të stinës.
Nga ana tjetër, Policia e Korçës ka filluar një procedim penal ndaj drejtoreshës së kopshtit dhe mjekes pediatre. Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë përqendruar te dyshimi për shpërdorim detyre, pasi mjekja nuk ka njoftuar autoritetet për rastet e paraqitura në spital. Ndërsa aktiviteti në institucion vijon normalisht, prindërit kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e komunikimit nga ana e drejtuesve dhe kërkojnë më shumë transparencë dhe kontrolle të shtuara për sigurinë e fëmijëve të tyre. Fëmijët që shfaqën simptomat kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa situata vijon të jetë nën monitorim.