Mbrojtësi 32-vjeçar, Elseid Hysaj, vijon të mbetet pa skuadër pas përfundimit të kontratës së tij. Në pritje të një mundësie të re për të vazhduar karrierën në kampionatet kryesore europiane, ai është stërvitur për disa ditë me klubin e Vllaznisë në Shkodër.
Sipas ish-futbollistit Ditmar Bicaj, lojtari ka refuzuar një ofertë financiare të konsiderueshme, të raportuar në vlerën e 500 mijë eurove për një sezon, nga një klub i Superiores. "Gazeta Shqiptare" ka konfirmuar se bëhet fjalë për Egnatian, e cila synonte afrimin e futbollistit. Ky rast është krahasuar me historinë e Lorik Canës, i cili në vitin 2005 refuzoi ofertën prej 500 mijë dollarësh nga Partizani për të vijuar karrierën ndërkombëtare.
Ndërkohë, emri i Elseid Hysajt është lidhur me një kalim të mundshëm te klubi anglez i Evertonit. Pasi merkatoja e verës është mbyllur, rregulloret e Premier Ligës lejojnë ekipet të regjistrojnë vetëm lojtarë të lirë. Sipas raportimeve të “Sport Witness”, përvoja e futbollistit në kampionatin italian vlerësohet si një vlerë e shtuar për skuadrën e drejtuar nga David Moyes, e cila është në kërkim të alternativave për krahët e mbrojtjes.