Situata e futbollistit Milot Rashica te klubi turk Beshiktashi është bërë e pasigurt, pasi drejtuesit e klubit kanë nisur negociatat për t'i dhënë fund bashkëpunimit mes palëve. Kjo lëvizje vjen pas largimeve të mëparshme të lojtarëve si Amir Hadziahmetovic dhe Al Musrati. Klubi ka kërkuar ndërprerjen e kontratës, e cila është e vlefshme edhe për një vit, por lojtari dhe menaxheri i tij deri më tani nuk janë pajtuar me një zgjidhje të tillë.
Pengesë kryesore për një transferim të mundshëm të Rashicës në një klub tjetër evropian mbetet paga e tij vjetore, e cila raportohet të jetë rreth 2.5 milionë euro. Pavarësisht interesimit nga skuadra të ndryshme, paga e lartë e vështirëson procesin e lëvizjes. Beshiktashi ka deklaruar se prioriteti mbetet transferimi i lojtarit te një klub tjetër, ndërsa sipas "Epoka e Re", klubi ka caktuar një çmim prej 5 milionë eurosh për shitjen e tij.
Në kuadër të këtyre zhvillimeve, Rashica nuk është përfshirë në formacionin e ekipit për përballjen kundër Çorumit. Reprezentuesi i Kosovës, i cili është pjesë e Beshiktashit që nga viti 2023, aktualisht ka regjistruar 1 gol në 6 paraqitje për këtë sezon.