Klubi i futbollit Egnatia ka siguruar një fond prej 1.710.000 eurosh nga UEFA, duke garantuar stabilitet financiar për të ardhmen, pavarësisht rezultateve të ndeshjeve të radhës në arenën ndërkombëtare. Kjo shumë financiare është rezultat i kombinimit të bonuseve për pjesëmarrjen në raundet kualifikuese (700.000 euro), bonusit për kalimin në fazën play-off (750.000 euro) dhe shpërblimit për titullin kampion të Shqipërisë (260.000 euro).
Pas eliminimit nga turi i dytë i Champions League, ekipi nga Rrogozhina do të vazhdojë rrugëtimin evropian në raundin e tretë të Europa League, ku do të përballet me Shamrock Rovers. Sipas formulës së shpërndarjes së fondeve, edhe në rast se skuadra eliminohet në këtë raund dhe më pas në atë të Conference League, shuma prej 1.71 milionë eurosh mbetet e garantuar për klubin.
Objektivi sportiv dhe financiar i klubit mbetet arritja në fazën e ligës. Në varësi të kualifikimit në njërin prej dy kompeticioneve, përfitimet totale mund të ndryshojnë:
• Kualifikimi në fazën e ligës së Conference League do të sillte të ardhura totale prej 3.870.000 eurosh.
• Kualifikimi në fazën e ligës së Europa League do të siguronte plot 4.330.000 euro.
Kjo shifër e fundit do të shënonte një rekord për një klub shqiptar sa i përket përfitimeve nga pjesëmarrja në garat e organizuara nga UEFA. Për drejtuesit e Egnatias, ky rrugëtim përfaqëson një mundësi për të ndryshuar dimensionin ekonomik të klubit përmes përfitimeve të konsiderueshme financiare.