Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e keqpërdor pozitën zyrtare përmes emërimit të zëvendësministrave të rinj në një periudhë kur qeveria ndodhet në mandat të kufizuar. Miftaraj u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime përballë këtyre vendimeve.
Në një deklaratë për Klan Kosovën, drejtori i IKD-së vlerësoi se emërimet e tilla janë afatshkurtra, pasi formimi i qeverisë së ardhshme do të sjellë një kabinet të ri dhe dekrete të reja. Sipas tij, pozitat e sapokrijuara rrezikojnë të zgjasin vetëm disa javë, duke e bërë procesin të pakuptimtë.
Sipas Miftarajt, qeveria në detyrë ka për obligim ligjor vetëm administrimin e vendit dhe çështjet e domosdoshme, ndërsa veprimet e fundit sugjerojnë se ato janë bërë për t’i sistemuar politikisht individë të caktuar. Ai theksoi se këto masa bien ndesh me parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.