Ermal Jauri, drejtues i Qendrës Marshall në Shqipëri, i ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, analizoi mundësinë teorike dhe praktike që një raketë balistike e lëshuar nga Irani të godasë territorin shqiptar.
Në aspektin teorik, skenari është i mundur, sepse raketat balistike iraniane kanë rreze veprimi deri në 2000-2500 kilometra, ndërsa distanca mes Iranit dhe Tiranës është afërsisht 2000 kilometra.
Jauri theksoi se në praktikë sulmi është pothuajse i pamundur për shkak të sistemit të mbrojtjes ajrore të NATO-s dhe vendeve aleate. Një raketë e nisur nga Irani drejt Shqipërisë do të kalonte mbi territorin e Turqisë dhe Greqisë, dy vendeve anëtare të NATO-s që disponojnë sisteme të avancuara si Patriot dhe NASAMS, të afta për të interceptuar raketat që hyjnë në hapësirën e tyre ajrore.
Eksperti shtoi se trajektorja e raketës zgjat rreth 20 minuta ose më shumë. Edhe nëse arrin të kalojë këto sisteme, mbrojtja kolektive e NATO-s reagon brenda pak minutash. Avionët e Aleancës, që patrullojnë hapësirën ajrore të Shqipërisë, ndërhyjnë shpejt për të neutralizuar kërcënimin.
Kështu, rreziku për territorin shqiptar është praktikisht zero.