Një 27-vjeçar danez, i akuzuar për përfshirje në raste vrasjesh në kuadër të bandave kriminale, u paraqit të martën përpara Gjykatës së Frederiksbergut në Danimarkë, ku u mor vendimi për caktimin e paraburgimit deri më 25 gusht. I dyshuari, i cili u ekstradua nga Kosova të hënën e 27 korrikut, i ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Sipas prokurorit të Policisë së Zelandës Qendrore dhe Perëndimore, John Catre Nielsen, paraburgimi është bazuar në dyshimet e arsyeshme se personi qëndron prapa disa veprave të rënda penale. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura. Burimet e mediave daneze, si "TV 2 Ost", e lidhin 27-vjeçarin me bandën e ndaluar "Loyal to Familia (LTF)", një pretendim që nuk është konfirmuar zyrtarisht nga prokuroria.
Akuzat ndaj të dyshuarit përfshijnë:
• Vrasjen e një 22-vjeçari në prill të vitit 2020 në Aflojen të Bronshojit, si dhe një tentim vrasjeje në Gadelandet të Bronshojit, pak ditë përpara ngjarjes.
• Dy vrasje dhe një tentim vrasjeje në nëntor të vitit 2020 në Kalundborg, ku humbën jetën një 21-vjeçar dhe një 24-vjeçar.
I dyshuari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej disa vjetësh dhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në muajin mars. Ekstradimi u realizua përmes Aeroportit Ndërkombëtar "Adem Jashari" në Prishtinë, si rezultat i bashkëpunimit midis autoriteteve të Kosovës dhe atyre daneze, duke përfshirë Njësinë Kombëtare për Kriminalitet të Veçantë (NSK), Policinë e Zelandës Qendrore dhe Perëndimore, si dhe Policinë e Kopenhagës.
Zëvendësinspektori i Policisë së Kopenhagës, Knud Hvass, vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar, duke e cilësuar këtë proces si një tregues të vendosmërisë së policisë për të ndjekur të dyshuarit për krime të rënda, pavarësisht përpjekjeve të tyre për t'u arratisur jashtë vendit. Policia e Kosovës konfirmoi se ekstradimi u bë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pasi ndaj të dyshuarit rëndonin akuza për vrasje, mbajtje të armëve të zjarrit në rrethana veçanërisht rënduese dhe zjarrvënie.